Kreu i Bashkisë Gurma ka pritur Sekretaren e Shtetit të Departemtit për rumunët jashtë Rumanisë, zj.Oana Ursache, Ambasadorin e Republikës së Rumanisë në Shqipëri, z.Octavian Serban, si dhe Konsullin z.Aleksandre Savo, për t’ju prezantuar Sarandën si një destinacion për t’u vizituar dhe për forcimin e marrëdhënieve edhe në nivel lokal.
Gurma tha se mes dy vendeve ka një histori marrëdhëniesh shumë të mira dhe shumë të hershme, kur një plejadë e tërë e Rilindasve shqiptarë, e patën aktivitetin në Rumani. E po kështu, Saranda historikisht ka patur konsullatë të Rumanisë, duke nënvizuar se e ka pjesë të përditshmërisë së saj nderimin e rumunit europianeist Nicolae Jorga, bustin e të cilit e kemi si një vepër arti.
“Mikpritja na bashkon, Shqipëria ka qenë surpriza më e madhe”, tha ndër të tjera znj.Ursache. Ajo falenderoi për mbështetjen që ka gjetur edhe në qeverisjen vendore komuniteti arumun në Sarandë. Ambasadori Octavian Serban gjithashtu u shpreh se ndihet komod në punën e vet në Shqipëri, pasi marrëdhëniet mes Bashkisë dhe komunitetit arumun, janë aq të mira, sa i lehtësojnë dukshëm punën.
Në takim u kërkua mbështetje nga pushteti edhe në nivel vendor, që Shtëpia Jorga të kthehet në origjinën pronësore dhe të bëhet një Institut i Kulturës Europiane. Për këtë kryebashkiaku Adrian Gurma i ka siguruar diplomatët rumunë se ai do të jetë një interlokutor i mirë pranë strukturave qendrore, që kanë atribute vendimmarëse për këtë objekt.

















