Më 9 e 10 korrik, një tur vizitash ka zhvilluar në disa institucione publike të Sarandës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta i shoqëruar nga Nënkryetari i Bashkisë z.Romeo Çakuli.
Ato filluan nga Shtëpia e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla”, ku u prit nga drejtoresha e institucionit Stela Dako, nga stafi i edukatoreve e ish-edukatore dhe nga fëmijët e kësaj shtëpie të madhe, me histori 74-vjeçare. Për nder të Presidentit, fëmijët dhanë një program të shkurtër artistik.
Për drejtorin emblematik Vangjel Pulla, emrin e të cilit mban institucioni, Presidenti Meta ka dhënë medaljen “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, (pas vdekjes), që e ka marrë e bija.
Me medaljen “Naim Frashëri” janë nderuar ish-edukatoret Anastasia Kolo dhe Haxhire Rama, ndërsa kampionet historike në not, Natasha Lako dhe Sofie Minga, që janë rritur në këtë Shtëpi Fëmije, janë nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Impresionues ishte rrëfimi i Sofika Zenelit, të rritur me përkujdesjet e stafit të kësaj shtëpie, që tani është studente e filialit ekonomik të Sarandës.
Ndalesa e dytë ka qenë në shkollën 9-vjeçare “Adem Sheme”. Vizita e kreut të shtetit në këtë shkollë është kthyer në promovim të 100-vjetorit të saj, ku drejtori Resmi Sali ka treguar për traditën shekullore në fushë të arsimit dhe për punën cilësore që bëhet nga stafi aktual në mësimdhënie. Për historikun e saj dhe spikatjen si shkolla më me traditë në Sarandë, shkollës “Adem Sheme” i është dhënë nga Presidenti i Republikës dekorata e lartë “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”. Në këtë moment të shënuar vlerësimi të lartë për shkollën, mësuesja Lule Saraçi, e sapodalë në pension nga kjo shkollë, përshëndeti dhe solli eksperiencën e saj në disa dekada.
Vizita në gjimnazin “Hasan Tahsini” nisi nga muzeu i pasuruar më tej nga Xhorxhi Vasili, në kuadër të 60-vjetorit në jetëshkrimit të këtij gjimnazi.
Drejtorja Eleni Barka prezantoi arritjet më cilësore të këtij gjimnazi në 60 vite histori. Në vlerësim të arrritjeve të njohura në shkollë vendi, këtij gjimnazi iu dha Medalja “Kalorës i Urdhërit të
Flamurit”.
Kalja e Lëkurësit ishte për artistët e polifonisë.
Grupi “Zëri i Bilbilit” ia dha me këngë mirëseardhjen në këtë kala Presidentit të Republikës. Ansambli “Zëri i Bilibilit” u nderua me titullin “Naim Frashëri”, ndërsa drejtuesit të tij Sinan Ahmeti iu dha titulli “Për merita të veçanta civile”. Me titullin “Naim Frashëri” u nderuan Kiço Kapetani (pas vdekjes) dhe rapsodi Petrit Metushi. Katerina Kule dhe Xheladin Beqiri u nderuan me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Në verandën e Hotel “Mediterane” u zhvillua paraditen e 10 korrikut, ceremonia e nderimit me titullin “Për merita të veçanta civile” për bankierin Andon Vasili, që në vitin e vështirë 1997, ruajti nga grabitja prej bandave dhe transportoi jashtë shtetit, valutën e ish-bankës shtetërore të asaj kohe.
Mësuesi e drejtuesi emblematik i gjimnazit të Sarandës Xhorxhi Vasili, njëherësh gazetar sportiv dhe autor i një kolane librash për historikun e sportit të notit e volejbollit në Sarandë, u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Të njëjtin titull Presidenti Ilir Meta, u dorëzoi edhe dy prej volejbollistëve të spikatur të “Butrintit”, në vite: Orest Lepuri e Kostaq Stefani, ndërsa ish-volebollisti Janaq Zhaka u nderua me “Urdhërin Naim Frashëri”.