Ndalesa e radhës e Ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, ishte në Qendrën e Mbetjeve të Riciklueshme, investim ky i Qeverisë gjermane në Bashkinë e Sarandës, investim që e kërkon standardi i zhvillimit ekonomik dhe turistik, tha kreu i Bashkisë Gurma. Gjithashtu, ai përmendi rëndësinë që ka kjo për një qytet si Saranda, me shumëfishim të prodhimit të mbetjeve gjatë sezonit veror.
Ky vend përdoret për depozitimin e mbetjeve inerte nga ndërtimet në Sarandë, ndërsa tani këtu po formatohet edhe qendra e ricikilimit të mbetjeve urbane të diferencuara në burim, me kapacitet fillestar në 200 tonë, që me kalimin e kohës do arrijë të dhjetëfishohet.
Ambasadori Zingraf e ka cilësuar këtë një projekt shumë të rëndësishëm, në funksion të mjedisit, komunitetit dhe turizmit. “Është investim në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, tha ai, pasi Saranda është realiteti i turizmit të shtuar, që sjell edhe mbetje urbane të shtuara”.
Ky projekt, nënvizoi Zingraf, nuk mund të bëhet pa shoqërinë, pa bashkëveprimin e saj dhe pa një komunikim mjaft të mirë. Ai falenderoi Bashkinë për bashkëpunimin shumë të mirë mes saj dhe GIZ.
Ambasadori gjerman e ka quajtur këtë një element mjaft të rëndësihëm edhe për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Vizita dhe bashkëbisedimi me ambasadorin Zingraf ka vijuar më tej në sheeshin qendror të qytetit, nga ka nisur vendosja e koshave rrjetë të mbledhjes së diferencuar të mbetjeve, ashtu si edhe përgjatë shetitores së re.
Ambasadori Zingraf dhe kryetari Gurma janë ndalur edhe në çadrën ku ishin ekspozuar objekte të realizuara me mbetje të riciklueshme. Ata kanë marrë informacion mbi skemën e funksionimit të kësaj linje, me slloganin “Riciklo çdo ditë, për një të ardhme plot dritë”.
Gjithçka është në kuadër të projektit “Saranda riciklon”, që sjell modernizimin e shërbimit të mbetejeve dhe nxitjen e riciklimit në qytet.



























































