Të “gërmosh” dhe të marrësh dokumenta arkivore nga Saranda, njësoj sikur të jesh në Tiranë. Këtë bën të mundur Këndi Arkivor, i çelur sot në mjediset e Bibliotekës “Bilal Xhaferri” në qytetin e Sarandës. Për këtë janë instaluar dy kompjutera, në dispozicion të të interesuarve për dokumenta arkivore,
“Saranda është një qytet që e ka kulturën në ADN-në e vet dhe ky kënd shkurton distancën me Tiranën, falë bashkëpunimit me Bashkinë e qytetit”- ka thënë Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido. Në vlerësimin e tij Saranda është në prioritetin e listës së 100 qyteteve ku frymon shqiptaria dhe ku do të shtrihet ky shërbim,
Ky Kënd Arkivor është konkretizimi i një projekti të ri bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjitshme të Arkivave dhe Bashkisë së Sarandës. Kryebashkiaku Adrian Gurma, duke falenderuar për këtë mundësi të re, vlerësoi faktin që Saranda i shtohet hartës së qyteteve që e kanë tashmë këtë shërbim dhe këtë akses ndaj arkivave, që përbën një lehtësi jo vetëm për studjuesit, por edhe për qytetarët që duan të aksesojnë shërbimet e Arkivit të Shtetit.
Ky kënd u vihet në dispozicion të interesuarve dhe të pasionuarve pas arkivave, të navigojnë në fondin e 2 milionë dosjeve të Arkivit të Shtetit dhe të përzgjedhin e të porositin për të patur në dispozicion, të printuar, brenda një kohe të shkurtër, dokumentin original që kërkojnë.
Hapja e Këndit Arkivor të Sarandës, që u vjen në ndihmë studjuesve e hulumtuesve të arkivave, por edhe kurreshtarëve, u konsiderua një hap i parë i bashkëpunimit intensiv, që pritet të shoqërojë vitin 2021, si vit i 100-vjetorit të Bashkisë së Sarandës.
Në çeljen promovuese të Këndit Arkivor të Sarandës, u tha se Saranda do të ketë inspektorin e vet arkivor, në dispozicion të qytetarëve që do të përdorin Këndin Arkvivor, pavarësisht faktit që Saranda nuk është qendër Qarku.



