Çdo ditë që vjen, afron më tepër me bërjen realitet të dëshirës dhe projektit ambicioz që edhe Saranda të ketë një Akademi të Futbollit. Drafti i përgatitur nga KS “Butrinti”, është prezantuar sot në Këshillin Mbikqyrës të sh.a “Butrinti”, në prani edhe të Presidentit e njëherësh Kryetar i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma.
Diskutimi është ndalur në ngritjen e strukturave përkatëse, me kërkesën që njerëzit e angazhuar të kenë nivelin arsimor dhe eksperiencën, por edhe qartësinë e plotë për detyrat funlsionale që do të mbulojë secili dhe raportet mes tyre.
U diskutua edhe për funksionimin e stafit mjekësor mbështetës e deri ngritjen e zyrave, për të cilat tek Presidenti i ekipit Adrian Gurma, është paraqitur një projekt nga Kryetari I Këshllit Mbikqyrës Xhorxhi Vasili.
U hodh drita e nevojshme në gjithçka që sigruon mirëfunksionimin e Akademisë si institucion, duke nënvizuar edhe nevojën për t’iu referuar eksperiencave dhe praktikave më të mira në këtë fushë.
Presidenti Adrian Gurma, duke e vlerësuar të vlefshëm dhe të studjuar draftin e paraqitur, arësyetoi se, për të ardhur tek momenti i sotëm, është pritur dalja e VKM dhe Aktit Normativ, për të qenë më ligjorë.
Prej tij u hodh dritë në skenarët që mund të funksionojnë dhe të ndikojnë fuqishëm në ngritjen dhe funksionimin e kësaj strukture. Ai tha se ne njohim dhe u referohemi eksperiencave të vendimmarrjes nga Këshilla Bashkiakë të Bashkive simotra, për shitje aksionesh. Por, tha ai, duhet ta mendojmë dy herë çdo hap që hedhim, për të mos e futur procesin në ngërçe, që lidhen me jo pak të panjohura dhe mundësi që nuk mund të parashikohen dot sot. Në projeksionin e Presidentit Gurma, situata është mjaft diverse dhe komplekse dhe projekti mund të kalojë në disa të panjohura.
Ai shtroi edhe disa detyra për mirëfunksionimin e strukturave të sh.a “Butrinti” dhe të Policisë Bashkiake në stadium, si dhe për organizimin më të mirë të Konferencave për shtyp e për kriteret e bëra të qarta nga FSHF për transmetimin dhe mediatizimin e autorizuar të ndeshjeve.