Me grupe interesi nga Saranda, Ksamili dhe kryetarë të fshatrave që janë pjesë e Bashkisë së Sarandës, u organizua një dëgjesë publike. Përmes dëgjesës u morën mendime dhe sugjerime që lidhen me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV). Periudha kohore më shumë se dyvjeçare, pas miratimit të PPV të Sarandës, ka nxjerrë në pah edhe kufizime e mangësi të këtij plani, disa prej të cilave u vunë në dukje nga qytetarë dhe biznesmenë, të pranishëm në dëgjesën publike, organizuar në mjedis të jashtëm dhe me pjesëmarrje të kufizuar, në zbatim të masave anticovid.
Mendimet e shfaqura u cilësuan të vlefshme dhe ato do të jenë pjesë e një raporti që Bashkia Sarandë, do t’ia drejtojë strukturave përkatëse në nivel qendror, si: AZHT e AKPT, për t’u reflektuar në rishikimin e PPV.
Nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, u nënvizua se rishikimi i PPV është një proces që nuk ndalet me këtë dëgjesë e prandaj do të ketë të tilla, sa herë do ta kërkojnë interesat e zhvillimit të pronës dhe territorit në stade dhe sfida të reja.