Një delegacion nga Bashkia e Sarandës, i kryesuar nga Kryetari Adrian Gurma, ka marrë pjesë në festimet e organizuara për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Gjakovën e binjakëzuar me Sarandën. Aktiviteti më i rëndësishëm i këtyre festimeve ishte një Seancë Solemne me kryefjalë Pavarësinë, organizuar në sallën e koncerteve të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”. Në ekranin e madh të skenës u projektua Deklarata e Pavarësisë, e nënshkruar 15 vjet më parë, ndër nënshkruesit e së cilës ishte edhe Kryetari aktual i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Në fjalën e vet ai kujtoi me emocion ato momente dhe foli për perspektivën që i çeli Akti i Pavarësisë shtetit më të ri të Kosovës. Ai shprehu mirënjohje për SHBA e për miqtë e tjerë të Kosovës në botë dhe veçmas për Shqipërinë e shqiptarët. “Nuk duhet hartuar për asnjë ditë 17 shkurti 2008”- u shpreh Kryekomunari gjakovar Gjini. Në përshëndetjen e vet, Kryetari Adrian Gurma përcolli përshëndetjen e Sarandës, duke thënë se largësia mes saj dhe Gjakovës është vetëm gjeografike. “Në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor ne kishim gjakovarët në Sarandë, ndërsa sot jemi ne këtu, për të bashkuar urimin për 15 vjet Pavarësi dhe për të shprehur vullnetin për të qenë bashkë”, u shpreh Kryebashkiaku Gurma. Në festimet e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kodovës, organizuar nga Komuna e Gjakovës, morën pjesë edhe delaciobe të tjera, si ai i Bashkisë së Shkodrës dhe nga komuna arbëreshe e Frascinetos, Civita e Aquafirmosa në Kalabri të Italisë.