Nuk është e rastit që analiza e sezonit turistik 2022, nis nga Ksamili. Ksamili, tha në nisje të fjalës së vet Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, është tashmë pika më e dashur për turistët. E nga kjo kanë marrë lehtësira dhe efekte pozitive të gjithë banorët e këtij qyteti të ri. Ndërkaq, ai është ndalur në punët e kryera e ato që duhen programuar për t’u bërë gjatë vitit 2023. Theksi i parë është vënë në kërkesën për territor të pastër, pa të cilin nuk kuptohet dot turizmi. Prandaj është kërkuar që secili të vendosë “tullën” e vet për pastrimin. Fluksi i shtuar turistik është parë si problematika më shumë, që kanë nevojë për zgjidhje me përgjegjësi të shtuar. Ksamiliotëve Gurma u tha se në takim me Kryeministrin Rama tha se si problem të parë ka renditur urbanizimin e Ksamilit, pasi kjo gjë ka nevojë për mbështetjen nga qeveria qendrore. “Ka nisur projekti për furnizimin me ujë e kanalizimet dhe të tjera investime të mëdha e të vogla e presin Ksamilin, por rruga e gjatë nis me një hap”, u shpreh kreu i Bashkisë Adrian Gurma. Ai tha se edhe për legalizimin e plazheve është punuar mirë nga kjo administratë, ndërkohë që synohet të jenë publike 33% e tyre. Për çështjen e zhurmave dhe të sigurisë, Ksamili u tha se përbën një model edhe për Sarandën dhe se bizneset janë bashkëpunuese. Ata që e morën fjalën në takim vlerësuan ndryshimet për mirë që janë realizuar, por vunë në dukje edhe problematika. Prej tyre u kërkua të investohet për një shetitore, për ndriçim më cilësor publik, për të kthyer vështrimin nga rrugicat, për të ofruar ramba për hyrje-daljen e mjeteve lundruese në det, për stacione plazhi dhe stacione ankorimi, për vënie dorë në rehabilitimin e rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm. Nevoja për stafe të përgatitur për turizëm, ka bërë pjesë të bisedës edhe ndjekjen e shkollës profesionale nga të rinj të Ksamilit. Edhe një herë u përsërit se investimet që do të planifikohen do të jenë rrugë me standarte e të kompletuara me gjithë elementet.


















