Tullumbacet rozë dhe slogani “Vrapo për Jetë”, ishin “skenografia” e një tjetër takimi ndërgjegjësues, organizuar me gra e vajza nga qyteti i Sarandës, nga Ksamili dhe Delvina. Edhe një herë tek ato kaluan mesazhet për rëndësinë që ka diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit, në mbrojtje të jetës. Deputetja Anila Denaj, edhe si grua dhe nënë, në emër të jetës dhe shëndetit, kaloi mesazhin që çdo grua e vajzë të rritë autokontrollin dhe kujdedin për veten. Të njëjtën gjë bëri edhe deputetja Mimi Kodheli, e ftuar speciale në takim. Pyetja e saj se sa zonja e kishin bërë kontrollin, duke qenë se mori si përgjigje një shifër të ulët, ajo do të nënvizonte se gratë vrapojnë për të gjithë, veç vetes. Kryebashkiakja e Delvinës, Majlinda Qilimi, tha se çdo grua duhet t’i bëjë vetes dhuratë kontrollin periodik dhe autokontrollin, sidomos ato me histori familjare të prekjes nga kanceri j gjirit. Si kryebashkiak dhe si mjek, Adrian Gurma i mëshoi idesë që “Tetori Rozë” të shtrihet në çdo ditë të vitit, duke mos o lejuar vetes neglizhenca e ulje të kujdesit, autokontrollit dhe kontrollit mjekësor. “Kontrolli mjekësor shpëton jetë. Ekzaminohu!”, ishte apeli i tij. Në takimin sensibilizues të “Tetorit Rozë” në Sarandë, ishte i pranishëm edhe deputeti Blendi Klosi.