U përmbyll një javë e tërë, që u quajt “Saranda Riciklon”, organizuar në partneritet të ngushtë mes projektit guerman GIZ dhe Bashkisë së Sarandës. Çdo ditë e javës pati veprimtaritë e veta praktike, përmes të cilave u tregua për përfshirjen e bizneseve vendore, shkollarëve dhe qytetarëve lëvizjen për të menaxhuar mbetjet urbane me një qasje të re, që i shërben riciklimit. Në qendra biznesesh u shpërndanë qindra fletëpalosje dhe materiale pronovuese të punës së bërë, për të ndikuar në ngritjen më tej të opinionit dhe ndërgjegjësuar, apeluar e tregojmë se si veprohet praktikisht për të ndarë mbetjet urbane në burim. Në ditët e tjera të javës aktivitetet kryesore u zhvendosën në shkollat e Bashkisë Sarandë. Në partneritet me ZVA dhe me drejtoritë e shkollave, u organizuan “orët e gjelbra”, gjatë të cilave u nxit fantazia dhe iniciativa e shkollarëve, për të realizuar objekte dhe punë artistike me lëndë të parë materiale të riciklueshme. 22 prilli shënoi kulmin e Javës “Saranda Riciklon”, Veprimtaritë praktike nisën me mbjellje fidanash në mjediset shkollore, në kuadër të Ditës së Tokës. Pas kësaj shetitorja u bë vendi i ekspozimit të eksperiencës së grumbulluar në dy vitet që Saranda është e përfshirë në projektin e menaxhimit të modernizuar të mbetjeve të riciklueshme. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, që shoqrohej nga Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma dhe përfaqësues të GIZ. Ata kaluan në tryezat ku ishin ekspozuar objekte të bëra plot fantazi. U përgëzuan nxënësit e shkollave tona 9-vjeçare e të mesme, pasi me objektet e tyre u ndërtua një panair i larmishëm e mjaft domethënës për qasjen e re, të kthyer edhe në fantazi krijuese. Ndërkaq, u tregua konkretisht se si qytetarët e kanë bërë shprehi përdorimin e koshave të dedikuar për plastikën, të vendosur përgjatë shetitores. Në vlerësim të punës së bërë dhe të ekspozimit të saj plot fantazi, Ministrja Kumbaro do të shprehej se pamjet nga shëtitorja e Sarandës ishin “si një praktikë ogurmirë e përqafuar nga banorët”.