Jaroslav Ludva, Ambasadori i Republikës së Çekisë në Tiranë, është pritur sot nga Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, i cili i prezantoi diplomatit çek Sarandën, si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar turistik.
Ai ka veçuar praninë në rritje të turistëve çekë në këtë rajon, që fillesat i ka në historinë e marrëdhënieveve mes kësaj Bashkie me operatorët turistikë çekë dhe përfaqësues të medias çeke, të cilët vite më parë, njohjen e Shqipërisë e nisën nga Saranda.
Diplomati çek i karrierës, tha se në Sarandë vjen shpesh dhe se ndjehet si në shtëpi.
Duke nënvizuar se Saranda është e rëndësishme, Ambasadori Ludva ka bërë me dije se janë në përfundim procedurat dhe e pritshme është që në fund të verës Saranda të bëhet me Kosullatën e Nderit të Republikës së Çekisë, që do të jetë e para e këtij shteti në Shqipëri.
Përveç kësaj, në shërbim të sezonit turistik të kësaj vere, mes dikastereve përkatëse të të dy shteteve, tha ai, është nënshkruar marrëveshja e patrullimit të përbashkët të dy policive, që do të nisë në muajin gusht, në Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Kjo, vlerësoi Ludva, do të jetë një eksperiencë e re, që i shtohet këtij shërbimi në Shqipëri, pas Kroacisë dhe Bullgarisë.
Në takim u hodh dhe u përkrah ideja e një binjakëzimi mes një qyteti të Republikës së Çekisë dhe Sarandës, për të hedhur hapa të rinj në historinë e këtyre marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.



