U zhvillua sot në Sarandë mbledhja e Komitetit Rajonal të Turizmit në prani të Minsitrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Prefektit të Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, dhe Kryetarit të Bashkisë Adrian Gurma, pjesmarrës gjithashtu në takim ishin Task-Forca e Turizmit si dhe operatorë turistik të Qarkut. Prefekti Mamaj e cilësoi Sarandën si modelin e përgatitjeve për sezonin turistik verë 2021, dhe se është momenti të flitet për vit turistik e jo vetem menaxhim sezonal. Ndërsa Ministri Klosi shprehu se ndoshta nuk do të mund të arrijmë shkëlqimin e vitit 2019, por duhet të na udhëheqë ambicia për t’u bërë kampionë të Ballkanit në turizëm dhe shifrat të prodhojnë dyfish buxhet, e për t’u arritur kjo , duhet të perceptohet se biznesi dhe administrata qendrore e ajo lokale, nuk janë përballë njeri-tjetrit, por janë partnerë mes tyre. Pasi ka folur për nevojën që këto pushime duhet të japin siguri maksimale shëndetsore, Ministri Klosi, foli për mundëistë e reja për menaxhimin e detit, për qytet të pastër dhe për detyra specifike për të shtuar stacionet e plazhit, të vëna nën menaxhim. Ndërkaq, zoti Klosi u ndal në një nga negativitetet që prodhon Saranda, është mosmenaxhimi i zhurmave, duke thënë se Saranda nuk mund të jetë profili i një qyteti disko e hapur. Kryetari i Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma, u shpreh se një sezon i vështirë si ai i vitit 2020, na ka përgatitur më shumë për sfidat e sivjetshme. Gjithçka e mirë që është arritur, buron prej filozofisë se sezoni i ri fillon atje ku mbaron paraardhësi. Ngrijta e task forcës së brendshme të Bashkisë dhe urdhëri i ditëve të fundit për disiplinimin e zhurmave në sezon, investimet parësore si ai në shëtitore dhe aksesimi këtë verë i aksit alternativ të rrugës për në Ksamil, pa hyrë në Sarandë, konsiderohen si garanci për ofertën më të mirë turistike. Çdo pushues, tha Gurma ka një arësye më shumë për të zgjedhur Sarandën këtë verë, sepse nuk bëhet më fjalë për mungesë të ujit të pijshëm apo energjisë, por paralelisht po hidhen hapa të rëndësishëm në mirëmenaxhimin e grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane, menaxhimin e plazheve të kontraktuara dhe të atyre pa pagesë për publikun. “Ky- konfirmoi kreu i Bashkisë Gurma- është sezon i vështirë, por me pritshmëri të mëdha”.
































