Shkëmbim përvoje në fushën e turizmit bregdetar e malor dhe bashkëpunim në fushën e arsimit, gastronomisë, traditës e folklorit, ishin ato që parashtruan në takimin me Kryebashkiakun e Sarandës, Adrian Gurma, përfaqësuesit e qytetit të Opatisë në Kroaci.
Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete shqiptare në Parlamentin kroat, tha se duam që Saranda të bëhet përfituese nga përvoja 300-vjeçare e Opatisë në turizëm dhe të përfshiheni në projekte europiane, pasi mbështetjen tonë e keni.
Gani Xharrahi, Kryetar i Këshillit shqiptar të pakicës kombëtare në Rijeka, ka shprehur idenë që esenca për bashkëpunimin dypalësh të bëhet mbështetja e bashkive respektive për shkëmbimin e nxënësve të hotelerisë, për praktika mësimore në Opati e Sarandë, si dhe për afrimin e studentëve dhe fakulteteve në qytetet tona.
Ky takim, i pamundur për t’u bërë më parë, për shkak të pandemisë, na ndihmon për t’i zgjeruar kontaktet dhe marrëdhëniet tona të binjakëzimit me Opatinë, e njohur si “mbretëreshë e turizmit” në Kroaci, u shpreh Kryebashkiaku Gurma. Ky bashëpunim, i nisur nga pararendësit bashkiakë, duhet dhe do të vijojë me intesitet më të lartë. Ai nënvizoi se Saranda është në prirjen për të qenë kryeqyteti shqiptar veror, për natyrën klimën, por edhe për ofertën turistike, për diversitetin në llojet e turistëve që tërheq, në kulturë, agroturizëm, gastronomi etj. “Ku ka më mirë se sa rruga për Europë e Sarandës, të kalojë nga ju”, tha kryebashkiaku, në përkrahje të idesë për të qenë bashkë në projekte europiane.
Takimi me përfaqësuesit nga Rijeka e Opatisë u mbyll me mbështetjen e propozimit që Saranda të marrë pjesë me këngën polifonike labe, me receta gastronomie dhe me markën e verës lokale, në eventin e 5 shtatorit në Rijeka, kur do të vendoset atje busti i Nënë Terezës, në përvjetorin e sivjetëm të shenjtërimit të saj.



