Në cilësinë edhe të kryetarit të shtabit të emergjencave, Kryetari Adrian Gurma ka thirrur një tryezë me fokus organizimin dhe bashkërendimin për parandalimin dhe ndërgjegjësimin për rrezikun e zjarreve. “Vijmë me më shumë eksperiencë, por edhe me më shumë përgjegjësi- u shpreh Kryetari Gurma- për të mos na ndodhur që stina e verës të jetë edhe stinë zjarresh”. Ai kërkoi angazhim maksimal dhe bashkërendim mes faktorëve dhe institucioneve, duke nisur nga strukturat e Bashkisë, Nënprefektura, Shërbimi Zjarrfikës, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, kryetarët e fshatrave e deri tek vrojtuesit, që të jenë në lartësinë e detyrës dhe gatishmëri për mbrojtjen e territorit. Në tryezë u kërkua që secili nga aktorët të jetë edhe misionar për ndërgjegjësim të komuniteteve për situatën, për të mos lejuar vënie zjarresh në kullota apo në pika të mbetjeve urbane e për të mos toleruar as flakjen pa kujdes të bishtit të cigares. U evidentua edhe se ku janë zonat e rrezikut për zjarre, po ashtu u sollën në vëmendje zonat ku mjetet zjarrfikëse lëvizin me vështirësi, monitorimi 24/7 i zonave të rrezikshme. U nënvizua se masat parandaluese janë më të rëndësishmet, për të patur një verë pa zjarre sivjet.



