Vlerësimi për të pasionuarit e basketbollit, pjesëmarrës në ekipet zinxhir “Butrinti” në këtë sport të bukur, është kthyer në festë të vërtetë, brenda atmosferës së festave të fundvitit. Palestra e shkollës Hoteleri- Turizëm “Antoni Athanas”, që ka rritur në vite këta sportistë dhe këtë lëvizje sportive, reflektoi këtë atmosferë, deri tek koshat, që në vend të topave, mbanin brenda tullumbacet shumëngjyrëshe të festës. Ajo ka nisur me një takim duarsh mes nxënësve-basketbollistë dhe qytetarit të parë, Adrian Gurma. Me sfond urimin e gërmëzuar “Gëzuar 2023!”, të shkruar me tullumbace të arta dhe në front kupat e fituara, medaljonet dhe stimujt, ceremonia ka nisur me kryefjalë mirënjohjen. Mirënjohje për çdo nxënës, që ka kaluar në kurset e basketbollit, duke u përfshirë në projektin për të zhvilluar e për t’u zhvilluar me këtë sport, mirënjohje për prindërit, mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga Bashkia e Sarandës, falë vëmendjes së Kryetarit të saj, Adrian Gurma, mirënjohje për trajnerin Bruno Hajno. Këto ka thënë trajneri i palodhur dhe sfidant i moshës, Pajtim Seferi. “Jemi munduar dhe jemi investuar shumë për të ardhur në këtë ditë, që nga nxënësit, prindërit, trajnerët dhe Bashkia. Të gjithë besuam në këtë projekt dhe të gjithë jeni sot kampionë”, tha ndër të tjera Kryebashkiaku Adrian Gurma. Ai nënvizoi se jo medoemos të gjithë do të jenë sportistë të mirë, por e sigurtë është se sporti dhe përparimi në mësime, na ndihmon për t’u bërë njerëz të mirë dhe qytetarë të mirë. Në këtë atmosferë festive e miqsore, nga një prej vajzave basketbolliste Kryetarit Adrian Gurma iu dha dhuratë fanela e basketbollit”Butrinti”, me numrin 10. Për më shumë se 200 nxënës-basketbollistë u shpërnda Çertifikata e Pjesëmarrjes dhe e vlerësimit për rezultate të larta, në aktivitetet sportive të vitit 2022. Për 16 individët më të mirë, Çertifikata e Pjesëmarrjes u shoqërua edhe me medaljen përkatëse. Të gjithë të pranishmit provuan emocione të veçanta të këtij promovimi dhe momentet më të bukura u fiksuan në qindra fotografi.