Saranda hoqi pluhurin e harresës dhe hodhi prozhektorët e nderimit për Nestor (Neço) Mukon, gurvënësin e parë të polifonisë së Bregut dhe lëvizjen muzikore e teatrore të Shoqërisë “Pif-Paf”, gati një shekull më parë në qytetin e Sarandës. Projekti kulturor “Merrm’, o Val’, o Det”, ishte kthim i vëmendjes dhe nderim i kësaj lëvizjeje, që i dha Sarandës së viteve 1927-1934 koncerte polifonie, shfaqje teatrore dhe karnavalesh, falë pasionantit Neço Muko dhe talenteve që ai afroi e zhvilloi rreth vetes. Veprimtaria, që pati kujdesin e posaçëm të Kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma, u organizua në 123-vjetorin e linjdes së Neço Mukos dhe me dëshirën e ecjes në gjurmët e arta që ai ka lënë si trashëgimi të vyer në Sarandë. Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe studjuesi i veprës veprës së Neço Mukos, Niko Kotherja, bënë së bashku zbulimin e pllakës memroiale pranë ndërtesës së Postës së qytetit, atje ku ishte skena e koncerteve dhe shfaqjeve të grupit të Neço Mukës. Kjo është shoqëruar me një performancë karnavalesh nga nxënës të shkollës “9 Tetori” të Sarandës, duke evokuar kohën kur Neço Muka i dhuronte edhe shfaqje karnavalesh qytetarëve të Sarandës. Në shetitore u vizitua me shumë interes ekspozita fotografike nga veprimtaria e grupit, që e plotësuan vitrinat me dokumenta e relike autentike nga kjo veprimtari artiatike, ku vend të posaçëm zinin pllakat origjinale të gramafonit, me këngë të rregjistruara nga grupi në Paris. “Neço Muko jetoi fare pak, pasi kur ishte vetëm 35 vjeç u nda nga kjo jetë, por arti që ka lënë si pasuri ndër ne, është si të kishte jetuar një shekull dhe shekuj të tjerë do jetojë. Është tamam ajo që thuhet shpesh që një njeri mbetet i pavdekshëm kur i jeton vepra”, u shpreh në fjalën e vet Adrian Gurma. Informacion intetesant artistik e historik rreth personalitetit të Neço Mukos dhe grupit, solli referati i studjuesit dhe koleksionistit Niko Kotherja. Ndërkaq Prof. Josif Papagjoni u ndal në vlerat që Shoqëria “Pif-Paf” krijoi në gjinitë muzikore dhe teatrin, duke nënvizuar se bëri një jetë modeste ekonomike, por shumë të pasuruar kulturalisht, që e ka hak një bust. Me mjaft kërshëri u ndoq ligjërimi mbi veçoritë e këngëve të grupit të Neço Mukos nga studjuesi dhe poeti Timo Mërkuri. Zërat e rrallë të grupit polifonik të Himarës, sollën emocion dhe provuan se janë vazhdimi i të njëjtës traditë. Moment kulmor i veprimtarisë ishte dorëzimi i Medaljeve “Mirënjohja e Qytetit”, pasardhësve të Neço Mukos dge pasardhësve të bashkëpunëtorëve të tij: Koço Çakalli, Pano Kokaveshi, Andrea Bala, Dhimitër Rumbo, Tefta Tashko Koço, Llambi Turturlli, Tula Paleologu e Klea Jorga nga Bukureshti i Rumanisë. Veprimtaria zgjoi mjaft emocion, përcolli informacion dhe pati impakt në qytet.