Saranda është e pëlqyer për të jetuar dhe e kërkuar për të pushuar, edhe për ajrin e pastër dhe gjelbërimin që ofron. Përveç plotësimit me mijëra pemë më shumë, që i është bërë kurorës së qytetit, norma e gjelbërimit për numër banorësh është shtuar edhe në qytet. Këtu ka ndikimin e vet edhe biznesi, që e ka bërë pjesë të strukturave të veta gjelbërimin, ndërkohë që gjelbërimi është më i pranishëm edhe si shërbim publik. Sipërfaqeve ekzistuese të destinuara për pemë dhe lule, së fundmi Bashkia u shtoi edhe të tjera, të përftuara nga lirimi dhe sistemimi që iu bë hapësirave në Rrugën “Jonianët”. Këto hapësira jo vetëm që u pajisën me ndriçim në pjesën e trotuarit, por u mbollën edhe lule e pemë dekorative, duke ofruar mjedis të pastër dhe ekologjik.



