Kryetari i Bashkisë z.Adrian Gurma ka pritur Ambasadorin e Kosovës në Tiranë, z. Nait Hasani. Në mënyrë falenderuese, ai i tregoi z. Hasani se si Kosova ka dhënë shtysë të jashtëzakonshme për turizmin shqiptar dhe sidomos vitin e kaluar, kur, falë pushuesve nga Kosova, Saranda pati një sezon të vështirë, por jo të munguar.

Kryetari Gurma vlerësoi turin e gazetarëve nga Kosova dhe takimin e Bashkive bregdetare të bërë në Dragash, që ishin përcaktuese për të pushuar shqip.
Nga ana e tij ambasadori Hasani vlerësoi se edhe pandemia vështirësoi lëvizjen, por jo komunikimin dhe bashkëpunimin. Me dëshirën për të nxitur punët e verës qysh në pranverë, u shpreh ai, le të shohim përtej kësaj situate dhe të jemi bashkë, duke ofruar më të mirën tonë.

Kryetari Gurma iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të përgatitur një plan të përbashkët për turizmin dhe për të ndërmarrë me ekip një tur promocional edhe në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, Gjilan etj., që ftesa për të pushuar në Sarandë e Ksamil, të shkojë cilësisht te sa më shumë qytetarë të Kosovës.