Investimi madhor për rikonstruksionin e shetitores së Sarandës, është duke përparuar me ritme të mira, nga dita në ditë dhe nga java në javë.
Bashkia e Sarandës, hap pas hapi, mbështet sa herë kërkohet kompaninë zbatuese të projektit, duke e shoqëruar konsulencën edhe me sugjerime për korregjime të nevojshme, për të cilat është gjetur mirëkuptim i plotë me FSHZH dhe me stafin drejtues të Kompanisë “Fusha”.
Punimet zbatuese të projektit, që do ta bëjë Sarandën me një shetitore që harmonizon identitetet historike, kulturore e arkeologjike të qytetit me modernitetin e tij, avancojnë duke qenë edhe në syrin dhe në vlerësimin e publikut.
Ditët e fundit këto punime u inspektuan nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, që shoqërohej nga stafi inxhinjerik i Bashkisë.
U pa se ritmi i përparimit të punimeve në të dy lotet e shetitores, është përshpejtuar së fundmi dhe janë zgjidhur cilësisht mjaft nga detajet e rëndësishme.
Ecuria e mirë e punimeve deri në këtë fazë, lejon të përsëritet dhe rikonfirmohet se investimi për shetitoren e Sarandës, e përngjashme me lungomaren, do të jetë i përfunduar krejtësisht në pragun e nisjes së sezonit turistik “Verë 2021”.