100 gra nga qyteti i Sarandës, Ksamili, Delvina dhe rrethinat, u bënë pjesë e një takimi ndërgjegjësues, të inicuar nga Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma, mbajtur në mjedisin e hapur të Stadiumit të Lojërave me dorë “Aleko Dajko”.
Pas një viti e gjysëm në krye të Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma iu kthye profesionit të mjekut imazherist, duke u bërë protagonist në informimin e grave, për të qenë sa më të mbrojtura ndaj kancerit të gjirit.
Disa prej pjesëmarrëseve dhanë mesazhet e tyre për më shumë kujdes dhe për nevojën e plotësimit të informacionit të dobishëm. Me shumë interes u ndoq rrëfimi për përjetimet dhe eksperiencën personale që solli një prej të mbijetuarave të kancerit të gjirit.
Kryebashkiaku-mjek Adrian Gurma shpjegoi kuptueshëm për çdo grua se çfarë është kanceri i gjirit, pse ekziston, kë kërcënon, si parandalohet dhe si zbulohet e kurohet, shoqëruar me të dhëna e informacion shkencor dhe ilustruar nga eksperianca profesionale.
Kur çdo ditë e vitit, përjetohet si Tetori Rozë, sfida është e fituar, ishte mesazhi final i zotit Gurma.































