Duke respektuar rregullat, masat dhe distancën e përcaktuar për të parandaluar përhapjen e Covid 19, në sallën e Bashkisë së Sarandës, u zhvillua ditën e djeshme mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak.
Mbledhja e djeshme miratoi disa projektvendime, që lidhen me dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 gusht 2020 me fondin 6% të bllokskemës së ndihmës ekonomike, si dhe nga të ardhurat e Bashkisë. U miratua gjithashtu projektvendimi i Bashkisë “Mbi heqjen e detyrimit mujor financiar të ushqimit në kopshte dhe çerdhe për vitin shkollor 2020-2021”, si dhe të ardhurat dhe tavanet përfundimtare të shpenzimeve në nivel programi të buxhetit afatmesëm 2021-2023.
Këshilltarët u informuan dhe diskutuan mbi raportin e paraqitur nga ekzekutivi për shërbimet sociale dhe punën e qendrave të shërbimit komunitar, çka ishte një ndihmë e mirë për ta përmirësuar shërbimin në këto qendra. Pjesë e rendit të ditës dhe objekt i diskutimit të këshilltarëve, u bë edhe raporti i monitorimit të zbatimit të buxhetit për 4 mujorin e dytë 2020, ndërkohë që u vlerësua shumë pozitivisht manaxhimi që u është bërë kullotave dhe pyjeve nga Drejtoria e Bujqësisë në Bashki.
Këshillit Bashkiak iu paraqit një informacion edhe për ecurinë e deritanishme të procesit të aplikimeve për trojet e ndërtimit, në zbatim të VKM 329, datë 22.05.2019.